Rreziqet për adoleshentët

Adoleshentët janë në kulmin e zhvillimit fizik dhe psikologjik. Për këtë arsye, pirja e kanabisit mund t’iu shkaktojë më shumë probleme se të rriturve. Sa më i ri, aq më i madh dhe rreziku. Sa më shumë të konsumojmë, aq më shumë rrezik ka.

Truri zhvillohet kryesisht gjatë adoleshencës. Kanabisi mund të ketë një efekt negativ mbi trurin :  përqendrimi ulet dhe kujtesa zbehet. Rreziqet shtohen nëse konsumimi fillon në moshë të re dhe është i tepërt.

Kanabisi mund të ngadalësojë procesin e të mësuarit. Nuk mësojmë mirë. Humbasim përvoja të jetës. Gjejmë strehim te kanabisi, në vend që të mësojmë si të kontrollojmë ndjenjat negative, apo të gjejmë rrugë tjetër për t’u ndierë më mirë.

Çfarë thotë ligji ?

Nëse ka më shumë se 1% THC, kanabisi është ilegal. Konsumimi i kanabisit është i ndaluar, ashtu sikurse dhe kultivimi e shitja e tij. Eshtë e ndaluar dhe e dënuar me ligj. Kultivimi privat i bimës së kanabisit është i ndaluar gjithashtu, edhe nëse është kultivim vetjak.

Të rriturit që kapen nga policia duke pirë kanabis dënohen me një gjobë prej 100 franga zviceriane. Në të njëjtën mënyrë gjobiten dhe adoleshentët e mitur që kapen duke pirë kanabis.  Për këtë gjë informohen prindërit dhe gjykata e të miturve. Shpesh të rinjtë dërgohen në qendra të specializuara për trajtimin e varësisë. Dënimet dhe masat e marra janë të ndryshme. Ato varen nga mosha dhe gjendja e adoleshentit, si dhe nga konsumimi i shpeshtë i kanabisit nga adoleshenti.

Kur një i rritur apo adoleshent kapet me një sasi të vogël kanabisi për konsumim vetjak (më pak se 10g), ai nuk dënohet.

Eshtë e ndaluar dhe e dënueshme me ligj t’i jepni makinës kur keni pirë kanabis.

Me më pak se 1% THC-je, kanabisi është legal. Në ditët e sotme, produktet e kërpit me shumë CBD (kanabidinol) dhe pak THC shiten legalisht. Por dimë pak gjëra mbi efektet dhe rreziqet e CBD-së. Dimë vetëm që CBD-ja nuk provokon dehje të vërtetë.

Nëse fëmija juaj ju thotë se pi « vetëm » CBD, ju duhet të reagoni. Eshtë e vështirë të bëhet dallimi midis barit legal dhe atij jolegal. Pirja e CBD-së gjithashtu përbën rreziqe.

Në ç’moshë duhet të flisni për kanabisin ?

Para moshës 12-vjeçare :

Fëmija juaj ndoshta bën pyetje për kanabisin. Përgjigjuni pyetjeve të tij ose kërkoni përgjigjet së bashku (pranë një personi të besueshëm, në internet).

Fëmija juaj ndoshta ka parë persona të tjerë të pinë kanabis. Diskutoni së bashku për këtë.

Në moshën 12-vjeçare :

Informojeni fëmijën tuaj për kanabisin. Informatat duhet t’i përshtaten moshës së tij. Në këtë mënyrë, fëmija juaj është i përgatitur nëse sheh adoleshentë të tjerë duke pirë kanabis.

Në moshën 14-15-vjeçare :

Diskutoni me adoleshentin për kanabisin dhe konsumimin e tij. Për shembull, bëjini pyetjet e mëposhtme :

  • A pinë kanabis shokët dhe shoqet e tij ?
  • A e ka provuar ai ?
  • Çfarë di ai për kanabisin ? ( kanabis : ç’duhet të dimë ?)

Ju mund t’i kërkoni dikujt tjetër, të rrethit tuaj familjar, që të diskutojë me fëmijën tuaj për kanabisin. Zgjidhni një të rritur tek i cili keni besim (familje, mik, pediatër).

A pi kanabis fëmija im adoleshent ?

Fëmija juaj ka sytë e kuq, rrobat e tij vinë erë të çuditshme. A ka pirë kanabis ? Ndoshta. Por ndoshta ai ka qarë, është alergjik ose ka qenë në një dhomë ku ka pasur tym. Mos nxirrni përfundime të shpejta. Më mirë flisni me fëmijën tuaj për vërejtjet tuaja : pyeteni atë pse i ka sytë e kuq dhe pse rrobat mbajnë erë.

Duke bërë pyetje, ju i hapni rrugën diskutimit. Bëni çmos të mos e akuzoni fëmijën tuaj menjëherë : të rinjtë reagojnë dhunshëm kur akuzohen pa të drejtë. Adoleshenti mund të mendojë : meqë po më  akuzojnë, atëherë unë do ta bëj për inat.

Adoleshenti juaj nuk është më si më parë. Atij nuk i interesojnë më pasionet e vjetra. Bën shpesh mungesa në shkollë,  shokët e tij kanë ndryshuar. Ai qëndron i mbyllur në dhomën e tij. Ka apo s’ka lidhje me kanabisin, flitini për çfarë ju shqetëson, bëjeni t’ju flasë për çka ndodh.

Ndoshta ju mendoni t’i bëni një test kanabisi ? Nuk është ide e mirë. Adoleshenti juaj ka rrezik të ndihet në përgjim. Ai do t’i mbyllet diskutimit. Dialogoni me të, besojeni atë dhe respektoni intimitetin e tij.

Të flisni për kanabisin me adoleshentin tuaj është e rëndësishme. Por është shumë më e rëndësishme që t’i bëni pyetje të tilla si : si ndihet ai ? A ka shokë ? A ndihet mirë me to ? A e ndjen veten mirë ? Si kalon me mësimet ?

Fëmija im adoleshent pi kanabis !

Të zbuloni që fëmija juaj pi kanabis, mund të jetë një tronditje e fortë. Disa prindër qortojnë veten. Ata janë të zhgënjyer, ose kanë frikë. Në këto raste ata janë shumë të rreptë dhe reagojnë me gjaknxehtësi, pa menduar mirë. Adoleshenti, nga ana e tij, mbyllet në vetvete.

Disa prindër të tjerë mendojnë se pirja e kanabisit është pa rrezik ose « normale në adoleshencë ». Ata nuk reagojnë. Shumë të rinj konsumojnë kanabis, pastaj e lënë menjëherë. Mirëpo nuk mund ta dimë paraprakisht si do të zhvillohet konsumimi i tij. Pra, reagimi i prindërve është i rëndësishëm.

Si duhet të reagoni ? Idealja është të gjeni një rrugë të mesme : mos e dramatizoni, por as mos e banalizoni. Të thoni qartësisht që kanabisi mund të jetë i rrezikshëm, pa e dramatizuar.

Nëse ju zbuloni që adoleshenti juaj ka konsumuar kanabis, mundohuni të dini më tepër për këtë gjë. Ishte thjesht për ta provuar ? Sa ? Herë pas here ? Apo shpesh ? A ka dëshirë ai të pijë shpesh ? A mendon ai se kanabisi nuk është i rrezikshëm ? A i njeh ai rreziqet e konsumimit të kanabisit ?

Mbi të gjitha mbani një vështrim pozitiv për fëmijën tuaj. Qëndroni të hapur dhe sa më të qetë të jetë e mundur. Në këtë mënyrë, ju inkurajoni fëmijën tuaj të jetë i sinqertë me ju dhe favorizoni dialogun. Ju i tregoni atij se ai mund të ketë besim te ju. Mirëpo të jeni të hapur dhe të qetë nuk do të thotë të jeni dakord me sjelljen e tij.

  • Fëmija im adoleshent e ka « provuar » kanabisin

Nëse fëmija juaj ka pirë kanabis një ose dy herë : pyeteni se si ndodhi. Çfarë ndieu ai ? Ishte për kuriozitet ? Apo pse pinin të tjerët ? Shpjegojini fëmijës tuaj çfarë ju shqetëson. Thuajini gjithashtu se roli i prindërve është vendosja e kufijve. Shpjegojini se ju nuk doni që ai të vazhdojë të konsumojë kanabis.

  • Fëmija im adoleshent pi kanabis herë pas here

Nëse fëmija juaj pi kanabis me raste, për shembull gjatë një feste apo me shokët : thuajini qartë se ju doni që ai ta ndalojë atë. Nëse fëmija juaj refuzon, diskutoni me të për rreziqet lidhur me konsumimin e kanabisit. Ç’duhet bërë që ky konsumim të mos shtohet ? Kërkojini atij të mos ngasë kurrë biçikletë, motoçikletë apo veturë, pasi ka pirë kanabis. Kërkojini atij të mos qëndrojë kurrë në një veturë, të cilën e nget një person që ka pirë kanabis.

Nëse fëmija juaj është shumë i ri, këmbëngulni që ai ta lërë atë, sepse truri krijon një lidhje shumë të fortë midis kënaqësisë dhe kanabisit. Si rrjedhojë, bëhet refleks mendimi : kam dëshirë të kënaqem = zgjidhja ime është të pi kanabis.

  • Fëmija im adoleshent konsumon kanabis rregullisht

Nëse fëmija juaj adoleshent pi rregullisht kanabis : mundohuni të mësoni nëse konsumimi i tij është i zakonshëm. A ka ndërmend ta lërë ? Çfarë rëndësie ka në jetën e tij ? A është bërë një zakon ? Për të hapur diskutimin, ju mund t’i thoni atij :

  • Çfarë rëndësie ka kanabisi në jetën e tij ?
  • Si mund ta shmangë ai rritjen e rëndësisë së kanabisit ?
  • Në çfarë situate ai ka kënaqësinë të pijë kanabis ?
  • Në çfarë situate ai nuk ka kënaqësinë të pijë kanabis ?
  • Ç’bën ai për të pasur rezultate të mira në shkollë apo punë ?

Ju mund të diskutoni me të për motivimet e tij :

  • Pse pi ai ?
  • Për të ulur stresin e tij ?
  • Për të harruar problemet e tij ?

Nëse adoleshenti pi për të harruar ndjenjat negative, thuajini që kjo gjë ju shqetëson. Mundohuni të gjeni së bashku përgjigjet për problemet e tij.

Të pini kanabis (apo alkool) kur nuk ndiheni mirë, ju ngushëllon për momentin. Por me kalimin e kohës, do të keni më pak forca për të luftuar problemet. Në këtë mënyrë, problemet mbeten dhe dëshira për të pirë (kanabis ose alkool) shtohet.

Duhet të shqetësoheni nëse fëmija juaj pi kanabis :

  • Pa mbushur moshën 16 vjeç
  • Gati çdo ditë
  • Para dhe gjatë shkollës apo punës
  • Gjatë gjithë, apo pothuajse, kohës së tij të lirë
  • Për t’u ndierë më mirë
  • Para se t’i japë veturës apo të përdorë mjete të tjera lëvizëse

Sinjalet e alarmit

Shqetësohuni nëse fëmija juaj adoleshent :

  • Nuk është i motivuar në shkollë ose punë. Nëse rezultatet bien
  • Menjëherë ndryshon shoqëri. Shokët e tij të rinj konsumojnë shumë
  • Mbyllet në vetvete dhe nuk dëshiron të flasë me ju
  • Eshtë në krizë me ju
  • Ka probleme me shëndetin ose me gjumin
  • Shet kanabis

Të gjitha këto janë shenja të një problemi serioz. Reagoni urgjentisht. Ju mund të kërkoni mbështetje pranë qendrave të specializuara për të rinjtë ose qendrave të specializuara për trajtimin e varësisë. (adresa të dobishme)