Në çfarë moshe duhet folur për alkoolin ?

Edhe fëmijët e vegjël e dinë që alkooli nuk është një pije si të tjerat. Ju mund t’i shpjegoni që në moshë të vogël fëmijës tuaj që alkooli është një pije e rezervuar për të rriturit. Fëmija juaj rritet, dhe bisedat për konsumimin e alkoolit shtohen me rastin e festave familjare, nëpër filma, nëpër video Youtube, etj… « Ç’mendon ti për… ? » «  Të duket normale që… ? »

Që në momentin kur fëmija juaj fillon të dalë, ai duhet t’i njohë efektet dhe rreziqet e alkoolit. Ju mund të diskutoni me fëmijën tuaj dhe ta shtyni për të vizituar për shembull : faqen e internetit www.ciao.ch . Fëmija juaj duhet ta dijë se ç’prisni ju prej tij/saj. Djali apo vajza juaj duhet të njohë rregullat në lidhje me alkoolin.

Nëse fëmija juaj ka dëshirë thjesht ta provojë pijen :

  • Fëmijëve të vegjël duhet t’ia refuzoni dhe t’i thoni që alkooli nuk është i mirë për fëmijët
  • Duke filluar rreth moshës 12-vjeçare, nëse fëmija këmbëngul, ju mund t’i jepni pak alkool nga gota juaj, për ta provuar. Adoleshenti, sa më vonë ta fillojë konsumimin e alkoolit, aq më mirë truri i tij do ta kontrollojë atë.

Çfarë duhet të dijë fëmija im adoleshent për alkoolin

Jo të gjithë adoleshentët dehen.

Në moshën 15-vjeçare, një pakicë e adoleshentëve abuzon rregullisht me alkoolin. Mediat flasin shumë për rastet e rralla. Mund të zgjedhim miq që argëtohen pa pirë alkool, ose mund të pimë pak.

Kur pimë alkool, nuk jemi i njëjti person.

Alkooli është një substancë psikotrope ashtu si dhe drogat e tjera. Ai ndryshon perceptimet, emocionet dhe sjelljen e njerëzve. Alkooli mund të na vërë në rrezik. Nën efektin e alkoolit bëjmë gjëra që nuk i bëjmë zakonisht. Rreziku mund të vijë nga vetë ne, por gjithashtu dhe nga të tjerët !

Alkooli përhapet në gjak

Alkoolizmi, është sasia e alkoolit që qarkullon në gjak. Alkoolizmi varet nga :

  • sasia e alkoolit të pirë
  • mosha : alkooli vepron më shpejt tek të rinjtë dhe personat e moshuar
  • gjinia : alkooli vepron më shpejt tek femrat
  • nëse kemi ngrënë : alkooli vepron më ngadalë kur stomaku është plot

Efektet mund të jenë të rrezikshme nëse përveç alkoolit, kemi marrë droga të tjera apo ilaçe,…

Adoleshentët janë të ndjeshëm ndaj alkoolit

Adoleshentët nuk reagojnë njësoj si të rriturit përballë efekteve të alkoolit. Alkoolizmi i tyre rritet më shpejt dhe ata mund të helmohen menjëherë (për më shumë detaje, konsultoni adoleshentët dhe alkooli). Për këtë arsye, ligji u ndalon alkoolin të rinjve nën moshën 16 vjeç. Të rinjtë mbi moshën 16 vjeç mund të pinë alkool herë pas here, por mbi të gjitha ata nuk duhet të dehen. Përzierjet e alkoolit me produkte te tjera (ilaçe, kanabis, etj…) mund të jenë të rrezikshme.

Të njihni kufijtë e mundësive tuaja

Gjatë përvojave të para me alkoolin, adoleshentët nuk e njohin mirë kufirin e mundësive të tyre. Ndonjëherë ata/ato pinë me tepri, ose pinë shumë shpejt, e në këtë mënyrë ata/ato mund të helmohen menjëherë.

Alkooli është i rrezikshëm për adoleshentët dhe të rriturit

  • Të pish shumë dhe shpesh është e rrezikshme për shëndetin
  • Alkooli të bën të varur
  • Dehja ndryshon vetëdijen, ndjenjat dhe sjelljen. Mund të humbasim kontrollin dhe të bëjmë gjëra për të cilat do të na vijë keq më vonë. Kur të rinjtë fillojnë të pinë alkool, djemtë ashtu si dhe vajzat nuk i njohin ende kufijtë e mundësive të tyre. Ata rrezikojnë të pinë me tepri apo shumë shpejt. Ndodh që të rinjtë dehen menjëherë dhe nuk arrijnë më të ndalen.
  • Alkooli na bën të ndihemi të shfrenuar. Nuk arrijmë të kontrollojmë sjelljen tonë. Vazhdojmë të pimë. Inkurajojeni adoleshentin që të bëjë kujdes. Të bëjë kujdes, do të thotë të mos pijë më ose të bëjë një pushim pas një gote alkooli.
  • Pirja e tepërt dhe e shpejtë e alkoolit mund të shkaktojë vdekje. Në adoleshencë duhet të dimë si të reagojmë nëse një person është viktimë e helmimit alkoolik. Kur dikush humb vetëdijen, nësë nuk arrijmë ta zgjojmë, nëse personi nuk reagon kur e pickojmë,nëse ai vjell pa u zgjuar, apo merr frymë keq, etj…, duhet ta shtrijmë anash, ta mbajmë në të ngrohtë, të mos e bëjmë të vjellë, të mos e lëmë vetëm dhe të kerkojmë ndihmën e një të rrituri apo të telefonojmë ambulancën (Tel. 144).
  • Alkooli shton rrezikun e aksidenteve.
  • Çdo lloj përzierjeje e alkoolit (me kanabis, ilaçe apo substanca të tjera) përmban rreziqe të paparashikuara.

Për të parandaluar problemet e alkoolit

Reagoni normalisht, si prindër, për shembull :

  • Ju jeni të interesuar të dini si shkon vajza juaj. Ju e përkrahni atë në mënyrë që ajo të ndihet sa më mirë të jetë e mundur.
  • Ju tregoni interes për ç’ka bën djali juaj. Ju e dini se ku e me cilin del.
  • Ju vendosni kufij për ta mbrojtur. Ju i jepni liri, që ai të rritet në mënyrë të pavarur.

Kur bëhet fjalë për alkool :

  • Jepini shembullin tuaj : ju konsumoni pak alkool.
  • Jini shumë të qartë : alkooli nuk është pije për fëmijët nën moshën 16 vjeç.
  • Mos e bëni tragjike nëse fëmija juaj konsumon pak alkool. Por qëndoni të vëmendshëm : kur pi ai/ajo ? Ku ? Me cilin ? Keni vënë re ndryshime ?

Nëse nuk jeni të sigurt e nëse jeni të shqetësuar : mos hezitoni, kërkoni ndihmën e profesionistëve. Sa më i ri është fëmija juaj, sa më shumë bëhet fjalë për alkool, aq më shpejt ju duhet të reagoni.

Si duhet të reagojmë kur adoleshenti fillon të pijë alkool ?

Djali apo vajza juaj nën moshën 16 vjeç nuk duhet të pijë alkool. Të rinjtë duan të përjetojnë përvoja të reja, kjo është normale dhe e natyrshme. Por gjithashtu, ata duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të mësojnë të zotërojnë rreziqet. Askush nuk e njeh fëmijën tuaj adoleshent më mirë se ju. Ju e dini nëse atij i pëlqen ta vë veten në rrezik, apo nëse ai është i arsyeshëm. Ju e dini gjithashtu që grupi është influencues dhe mund të ndikojë në teprimin e konsumimit të alkoolit.

Sigurohuni që fëmija juaj është i vetëdijshëm për rreziqet e lidhura me alkoolin. Nëse fëmija juaj del, ai duhet të dijë se çfarë prisni prej tij, çfarë pranoni dhe çfarë nuk pranoni. Gjithashtu, kur bëhet fjalë për alkool, pikat e mëposhtme janë të rëndësishme dhe duhet të vendosen në bazë të moshës :

  • Ora e kthimit në shtëpi
  • Rregullat e konsumimit
  • Zhvendosjet (në këmbë, me biçikletë, me autobus nate, duke i kërkuar prindërve të vinë ta marrin etj…). Nuk ka alkool për personin që është në timon !

Marrëveshjet bazohen mbi besimin. Shpeshherë është më e lehtë t’i shkuani gjërat, të bëni një lloj « kontrate ». Firmoseni kontratën së bashku.

Disa gjëra mund të bisedohen, disa të tjera jo (shiko rregullat dhe kufijtë). Për shembull : nuk duhet menduar që të rinjtë mbi moshën 16 vjeç të heqin dorë plotësisht nga alkooli. Por dehja nuk duhet toleruar në asnjë mënyrë. Lejimi i tepërt apo ndalimi rreptësisht i alkoolit shpesh jep rezultate të këqija. Nuk duhet thënë : të jesh i dehur nuk është gjë serioze, apo ti nuk duhet të pish kurrë alkool.

Mjet ndihmës : ja një kontratë daljeje që mund t’ju ndihmojë. Eshtë një kontratë ndërmjet adoleshentit dhe 2 prindërve të tij ose edukatorit. Shënoni sasinë maksimale të alkoolit që ai ka të drejtë të pijë, gjithashtu orën e kthimit në shtëpi, dhe në ç’mënyrë do të kthehet. Në kontratë shënohen dhe ndëshkimet. Mund të themi ndëshkim apo dënim. Një ndëshkim ndodh kur nuk respektojmë kontratën. Zgjidhni ndëshkimet që ju mund t’i zbatoni (ndalim daljeje, para xhepi, etj…).

Sinjale alarmi

Shqetësohuni, nëse :

  • Ka konsumim të rregullt të parakohshëm
  • Ka konsumim të shpeshtë : alkooli zë një vend të rëndësishëm, konsumim me qëllim për t’u ndjerë mirë, konsumim në vetmi
  • Alkooli shkakton probleme : aksident, konflikt, dhunë, etj…
  • Probleme në shkollë apo në mësimin e zanatit
  • Izolim, agresivitet, probleme në familje, me prindërit

Këto sinjale janë tepër të rrezikshme. Kontaktoni një profesionist të kësaj fushe (shih adresa të dobishme) ose flisni me mjekun e familjes. Qendrat e specializuara për të rinjtë dhe për varësitë janë të gatshme t’ju ndihmojnë, ju dhe fëmijën tuaj.

Çfarë duhet bërë kur fëmija im helmohet nga alkooli ?

Eshtë tronditëse për prindërit kur fëmija e tyre pëson helmim nga alkooli. Nëse gjendja është serioze, ndihma mjekësore është e nevojshme.

Hera e parë është gjithmonë një « aksident ». Fëmija ndoshta e ka kërkuar efektin e alkoolit, por pa menduar humbjen e kontrollit. Në përgjithësi, fëmija nuk ka më dëshirë ta përsërisë këtë përvojë të keqe.

Kur helmimi ka kaluar, ju duhet të diskutoni me fëmijën : si ndodhi ky helmim ? A dëshironte ai të pinte aq shumë ? Apo dikush tjetër e ka detyruar të pijë ? A ishte një garë ? A ishte nje « aksident » ? Ishte një sfidë ? Apo tjetër gjë ? Në këtë mënyrë do të bëhet më e qartë gjithçka ka ndodhur dhe gjithashtu se çfarë duhet bërë.

Fëmija juaj ka nevojë për besimin tuaj, sidomos në këtë rast, edhe nëse ju jeni shumë të frikësuar. Të besoni nuk do të thotë të lejoni fëmijën të bëjë atë që dëshiron.

Filloni me një periudhe prove. Gjatë kësaj periudhe, fëmija juaj duhet ta vërtetojë që ai/ajo meriton besimin tuaj. Kujtojini marrëveshjen që keni firmosur.

Nëse ka incidente të tjera të këtij lloji, ju duhet të reagoni akoma më qartë dhe të vendosni rregulla më të rrepta. Eshtë e këshillueshme të kërkoni ndihmën e qendrave të specializuara.

Nëse ju vetë pini alkool

Në Zvicër, shumica e të rriturve pinë alkool. Pjesa më e madhe e tyre pinë për kënaqësi e në mënyrë të arsyeshme.

Nuk ka asnjë kontradiktë midis pirjes së alkoolit nga ju dhe ndalimit të saj për fëmijën tuaj, i cili nuk ka mbushur 16 vjeç.  Ka gjëra që janë të pranueshme për të rriturit, por jo për adoleshentët. Një konsumim i arsyeshëm i alkoolit përbën më pak rrezik për të rriturit. Alkooli është më i rrezikshëm për adoleshentët. Ju duhet të vendosni kufij për të mbrojtur fëmijën tuaj.

Ju jeni një model për fëmijën tuaj. Fëmija ju shikon, ai influencohet. Nëse ju nuk pini alkool ose pini në sasi të limituara dhe për kënaqësi, fëmija juaj do ta vërejë këtë gjë.

Në Zvicër, rreth 250 000 persona janë të varur nga alkooli. Një pjesë e madhe e tyre e konsumojnë alkoolin në mënyrë problematike. Në këtë rast, është e vështirë të shërbesh si shembull.  Fëmijët që kanë prindër alkolistë rrezikojnë të bëhen alkoolistë. Prindërit mund të bëjnë shumë gjëra për të lehtësuar fëmijët e tyre, për t’i mbrojtur nga problemet e ardhshme.

Kërkoni mbështetje në faqen e internetit : www.parentsetaddictions.ch . Gjëja më e mirë është të flisni hapur me fëmijën për problemin. Përkrahja e qendrave të specializuara mund të jetë e dobishme (shih adresa të dobishme).